Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi zhvilloi një vizitë në shkollën “Bashkim Fino” në Tiranë, me qëllim monitorimin e ecurisë së trajnimeve të ekipeve sportive në sportin e volejbollit dhe basketbollit, por edhe për t’u informuar më shumë se si fëmijët dhe të rinjtë ndihen me këtë program dhe si ka ndikuar në zhvillimin e tyre.
Përgjatë bisedës me fëmijët dhe të rinjtë, ministrja Muzhaqi i pyeti rreth ecurisë së trajnimeve, si sporti po ndikon në zhvillimin e tyre dhe për uniformat e reja.
Fëmijët dhe të rinjtë u shprehën të gjithë shumë të lumtur që janë pjesë e këtij programi, pasi ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e tyre fizik, ndërveprimin social, por edhe fakti që çdo gjë e përfitojnë falas është një plus për familjet e tyre, duke qenë se tashmë nuk duhet të paguajnë më për kurse sporti pas mësimit.
Me fëmijët dhe të rinjtë ministrja Muzhaqi diskutoi edhe mbi uniformat e reja dhe bazën materiale, të siguruara këto të fundit nga qeveria shqiptare për mbarëvajtjen e programit, por edhe që të ndihen si një ekip i mirëfilltë.
“Njësoj si ju, jam dhe unë shumë e lumtur që ju jeni pjesë e këtij programi kaq të bukur dhe plot jetë. Ju shoh shumë entuziastë dhe sytë ju shkëlqejnë teksa vraponi në lojë. Shkolla juaj vitin e shkuar kishte ekipin e basketbollit për 9-vjeçaren, dhe ju premtova që së shpejti do kishit dhe ekipe për më të vegjlit. E tashmë kemi dy ekipe të reja volejbolli për moshat 8-10 vjeç”, u shpreh Muzhaqi.
Programi “Ekipet Sportive në shkolla” ka filluar zbatimin që prej vitit 2022 në të gjithë Shqipërinë. Për të dytin vit radhazi, janë angazhuar mbi 10000 fëmijë dhe të rinj në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë këtë vit për herë të parë po pilotohet projekti edhe për grupmoshën 8-10 vjeç, ku janë angazhuar rreth 1000 nxënës. Ky program mbështet nga Qeveria Shqiptare dhe zbatohet nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, dhe Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët./ata