Presidenti i Serbisë akuzon protestuesit që kundërshtojnë një projekt për hapjen e minierës së litiumit, se janë pjesë e një lufte “hibride” të mbështetur nga Perëndimi kundër qeverisë së tij.
Aleksander Vuçiç u zotua të ndërmarrë veprime të forta ligjore kundër atyre që bllokuan trafikun hekurudhor dhe rrugor të shtunën në Beograd.
Presidenti serb tha në një konferencë për shtyp se protestat janë të sajuara me qëllim rrëzimin e qeverisë së tij. Ai theksoi se ishte informuar nga shërbimet ruse të zbulimit se “trazira masive dhe një grusht shteti” po përgatiteshin të shtunën në Serbi nga fuqi të paspecifikuara perëndimore, që dëshirojnë ta rrëzojnë atë nga pushteti.
Qeveria këmbëngul se miniera e litiumit është një mundësi për zhvillim ekonomik, por kritikët thonë se ajo do të shkaktonte ndotje të pariparueshme në luginën e Jadarit.
Presidenti Vuçiç ofroi mundësinë për një referendum për këtë çështje, një ofertë që nuk ka gjasa të shqyrtohet nga mbrojtësit e mjedisit./Tema