Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, pas tensionit në Lindjen e Mesme dha urdhër për përshpejtimin e kalimit të aeroplanmbajtëses që punon me energji bërthamore "USS Abraham Lincoln", në rajonin për të cilin është përgjegjës.
Sipas deklaratës së bërë nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon), Austin zhvilloi një bisedë në telefon me homologun e tij izraelit, Yoav Gallant.
Duke theksuar se SHBA-ja do të "ndërmarrë çdo hap" për sigurinë e Izraelit, Austin deklaroi se ai gjithashtu ka urdhëruar që "USS Abraham Lincoln" e cila punon me karburant bërthamor dhe është pajisur me avionë luftarakë F-35C, të përshpejtojë nisjen e saj në zonën për të cilin është përgjegjës në Lindjen e Mesme.
Gjithashtu Austin deklaroi se në rajonin që i përket Komandës Qendrore të SHBA-së ka dërguar edhe nëndetësen "USS Georgia".
Gallant dhe Austin diskutuan mbi sulmet e Izraelit në Gaza, negociatat për armëpushim dhe aktivitetet e Hezbollahut.
Në rajon tensioni u rrit pas sulmit ajror që Izraeli ndërmori në Bejrut, kryeqytetin e Libanit, ndaj Fuad Shukr, një prej komandantëve të lartë të Hezbollahut dhe vrasjes së kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran.
Kundër Tel Avivit janë bërë kërcënime për hakmarrje nga Irani dhe Hezbollahu libanez, të cilët e kanë mbajtur Izraelin përgjegjës për vrasjen e Haniyeh./aa