Ushtria izraelite vrau një palestinez dhe hodhi në erë shtëpitë e dy të burgosurve palestinezë me eksploziv gjatë bastisjeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sipas informacionit të marrë nga burime shëndetësore palestineze, ushtarët izraelitë që bastisën kampin e refugjatëve Al-Amari në Ramallah, hapën zjarr dhe qëlluan në gjoks palestinezin, Mutaz Sarsur. I riu palestinez, i cili u dërgua i plagosur në spital, nuk mundi të shpëtonte dhe ndërroi jetë.

Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që uzurpuan tokat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor që nga 7 tetori është rritur në 624.

Nga ana tjetër, sipas burimeve lokale, ushtria izraelite bastisi qytetet Ramallah dhe Al-Bira dhe hodhi në erë shtëpitë me eksploziv të të burgosurve palestinezë, Eyser al-Bergusi dhe Khalid al-Haruf.

Thuhet se Bergusi dhe Haruf u arrestuan me akuzën e vrasjes së një prej izraelitëve që uzurpuan tokat palestineze në lindje të Ramallah më 8 janar.

Që nga 7 tetori 2023, kur Izraeli filloi sulmin e tij në Rripin e Gazës, ka pasur një rritje të ndalimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor./aa