Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan, Antony Blinken, gjatë së cilës ai kërkoi që Izraeli të shmangë "veprimet provokuese" që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm të konflikteve, duke shprehur shqetësimin e tij për rritjen e tensioneve në rajon.
Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme turke, Öncü Keçeli, në një postim në X tha se biseda telefonike është zhvilluar me kërkesë të Sekretarit amerikan të Shtetit. Ai u shpreh se gjatë bisedës, Fidan nënvizoi nevojën për të ushtruar presion ndaj Izraelit për një armëpushim të përhershëm në Gaza.
Gjatë bisedës telefonike, të dy zyrtarët diskutuan për procesin e negociatave ndërmjet Izraelit dhe Hamasit dhe tensionet në rritje në rajon, tha Keçeli, duke shtuar:
“Ministri Fidan deklaroi se vrasja e shefit të Byrosë Politike të Hamasit (Ismail) Haniyeh dhe masakra e vazhdueshme kundër palestinezëve treguan edhe një herë mungesën e vullnetit të Izraelit për të vendosur paqe”.
Fidan tha gjithashtu se Hamasi ka treguar më parë një qëndrim konstruktiv ndaj një armëpushimi./aa