Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba në një intervistë të botuar në gazetën e sotme Bild am Sonntag i kërkon qeverisë gjermane të përshpejtojë dërgesat e municioneve dhe të fillojë trajnimin e pilotëve të Forcave Ajrore të Ukrainës në avionë luftarakë të tipit perëndimor.

 

 

 

Sipas ministrit Kuleba, mungesa e municioneve, veçanërisht artilerisë, është problemi “numër një” në përpjekjet e forcave të armatosura ukrainase për të zmbrapsur trupat ruse, të cilat pushtuan territorin ukrainas më shumë se një vit më parë, më 24 shkurt 2022.

 

Ai thekson se prodhuesit gjermanë të armëve e siguruan atë në Konferencën e Sigurisë në Mynih muajin e kaluar se ata janë gati të bëjnë dërgesa, por presin që qeveria të nënshkruajë kontrata. “Prandaj problemi qëndron tek qeveria”, gjykon kreu i diplomacisë ukrainase.

 

Kuleba thotë se nuk pret që avionët perëndimor t’i jepen menjëherë vendit të tij, siç e kërkon Kievi prej kohësh, ndërsa shton se trajnimi i pilotëve ukrainas duhet të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që ata të jenë gati sapo të merret një vendim.

 

Nëse Gjermania trajnon pilotët ukrainas, ajo do të dërgojë një “mesazh të qartë të angazhimit të saj politik”, shton ai. Përveç kësaj, Dmytro Kuleba siguron se ushtria ukrainase do të vazhdojë të mbrojë Bakhmutin, një qytet që është bërë fokusi i luftimeve në Donbas në gjashtë muajt e fundit. “Nëse do të tërhiqeshim nga Bahamuti, çfarë do të ndryshonte? Rusia do ta pushtonte dhe më pas do të vazhdonte sulmin kundër Chasiv Yarit dhe çdo qytet pas Bahmutit do të kishte të njëjtin fat.”.