Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se administrata amerikane "është e vendosur" për të arritur një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe grupit Hamas.

Blinken e bëri deklaratën gjatë takimit të tij me presidentin izraelit Isaac Herzog teksa nisi bisedimet me liderët izraelitë.

"Edhe në këto kohë shumë të vështira ne jemi të vendosur të arrijmë një armëpushim që sjell pengjet në shtëpi, dhe dëshirojmë ta arrijmë atë tani", tha Blinken, sipas mediave izraelite, duke përfshirë "Times of Israel".

Ai, megjithatë, vazhdoi të fajësonte grupin Hamas nëse nuk arrihet një marrëveshje armëpushimi.

"Dhe e vetmja arsye që kjo nuk do të mund të arrihej është për shkak të Hamasit", tha Blinken.

Kryediplomati amerikan mbërriti dje në Izrael në ndalesën e tij të tretë në rajon, pas Arabisë Saudite dhe Jordanisë.

Hamasi vlerësohet të ketë më shumë se 130 pengje izraelite, ndërsa Tel Avivi mban mbi 9.100 palestinezë në burgjet e tij.

Gjatë marrëveshjes së mëparshme në nëntor 2023 u liruan 81 izraelitë dhe 24 të huaj në këmbim të 240 palestinezëve, përfshirë 71 gra dhe 169 fëmijë.

Izraeli ka kryer një ofensivë brutale në enklavën palestinezë që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, për të cilin Tel Avivi thotë se u vranë afër 1.200 njerëz.

Që atëherë, të paktën 34.500 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 77.600 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave.

Më shumë se gjashtë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, sipas OKB-së, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa