Turistët e shumtë që kanë zgjedhur këtë sezon, të vizitojnë Shqipërinë, nuk zbarkojnë vetëm në jug pranë detit, por ka plot prej tyre që preferojnë turizmin malor.

Një prej atraksioneve kryesore mbetet Valbona dhe lidhja e saj me luginën e Thethit përmes qafës me të njëjtin emër, Qafa e Valbonës.  Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau në rrjetet sociale pamje filmike nga Qafa e Valbonës, duke shtuar se ky shteg vizitohet çdo ditë nga turistë që përpos puhizës së detit, zgjedhin edhe freskinë e maleve, për një përvojë shqiptare që përfshin të gjitha shqisat.

Qafa e Valbonës është shteg epik për krejt Alpet Shqiptare i kërkuar dhe përshkuar nga shumë udhëtarë shqiptarë e të huaj, tashmë në çdo stinë të vitit.

Qafa e Valbonës e vendosur në një lartësi 1759 m mbi nivelin e detit, rrethohet nga maja të tjera më të larta si maja e Alisë, maja e Hekurave etj.

Shtegu i kalimit këmbësor fillon në lagjen Gjelaj, në fshatin Rragam të Shalës. Kalimi i Qafës mund të bëhet nga të dyja krahët, Valbonë – Theth apo Theth – Valbonë, por nga Valbona itinerari është më i lehtë.

Ecja drejt Qafës së Valbonës mund të fillojë nga bujtina në luginë apo nga fillimi i shtegut në Gjelaj të Valbonës ose Gjelaj të Thethit. Për të kursyer kohë mund të sigurohet një transferte lokale nga bujtina deri në fillimin e shtegut të shënuar.

Qafa e Valbonës mund të arrihet në 2.5 – 3 orë, bashkë me ndalesat, nga cilido krah. Në total ky shteg merr 6-7 orë ecje./ata