Kalaja e Rozafës është kthyer në një destinacion të preferuar për turistët që vizitojnë Shkodrën.

“Gjithçka është shumë bukur këtu, kështjella, qyteti, duket gjithçka e mrekullueshme. Është hera e parë që vij, por jam i bindur se do të kem edhe një herë të dytë që do të vizitoj këtë qytet”, tha një turist.

“Po është hera e parë që unë vij, gjithçka duket këndshëm, kjo pamje që të ofrohet. Besoj se do të vij sërish dhe i sugjeroj turistëve që të vijnë për një tur në të gjithë Ballkanin, pasi gjithçka duket e bukur”, u shpreh një turiste.

Nga janari e deri në mes të këtij muaji, ky monument kulture e historie, u vizitua nga 65 mijë persona, gati dyfishi i të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

“Normalisht Kalaja Rozafa është pjesë e paketës së një ndër destinacionet që duhet për tu vizituar nga shumë vizitorë. Nëse do ta krahasojmë me vitin që lamë pas, Kalaja e Shkodrës njeh një rritje 45% më shumë për periudhën kohore Janar-Maj 2024”, tregoi Besara Podgorica, drejtoreshë e DRTK.

Jo vetëm për vlerat historike, por edhe për peizazhin që ofron, Kalaja e Rozafës është objektiv i turistëve nga Evropa, Lindja e Mesme e Amerika.

“Në fakt Shkodra është një qytet që këto dy vitet e fundit ka treguar një zhvillim tejet të madh për sa i takon turizmit të qëndrueshme. Tërheq vëmendjen jo vetëm për vlerat historike, por edhe peizazhit që ofron. Ne njohim një vizitueshmëri prej 65 mijë vizitorësh, që nga periudha e janarit deri në mes qershori. Kryeson Evropa Perëndimore. Francë, Spanjë. Nuk mbetet pas Polonia, Izraeli dhe Amerika që sa vijnë e shtohen”, tha ajo.

Kalaja e Rozafës është një nga 30 kalatë e Shqipërisë, që sjell dëshmi nga shekulli i 3 dhe i 4 para erës sonë e deri në fillimin e shekullit të kaluar, kur kalaja i rezistoi pushtimit të ushtrisë së Malit të Zi./Shqiptarja