Akademia e Shkencave të Shqipërisë dha sot lajmin e ndarjes nga jeta të Mario Brunetti, hartuesi i ligjit për mbrojtjen e gjuhëve të pakicave në Itali, propozuesit e realizuesi i statusit ligjor të arbërishtes në shkollë, i njohur ndryshe si “mbrojtësi i gjuhës së etërve”.

Mario Brunetti pati një veprimtari mbi 70-vjeçare si jurist, publicist, politikan e veprimtar i shquar i së majtës tradicionale e moderne italiane, deputet, autor i shumë librave studimorë, kulturorë e letrarë.

Mario Brunetti mori pjesë aktivisht në luftë si antifashist dhe ishte një prej përfaqësuesve të shquar të antifashizmit italian; mik i veçantë i Shqipërisë në të dyja periudhat e historisë moderne të saj.

Është nderuar me mirënjohje të larta nga shteti shqiptar para së gjithash për rolin e tij si protagonist i njohjes së statusit ligjor të arbërishtes në Itali. Nuk ishte arbëresh nga origjina, por “u bë më arbëresh se ne”, do të thuhej për të.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka pasur nderin dhe kënaqësinë ta ftojë e ta mikpresë Mario Brunetti-n si ligjërues e referues në konferenca shkencore, duke përfshirë atë të 75-vjetorit të çlirimit përkujtuar më 2019.

Vitet e fundme, megjithëse rreth 90 vjeç, Mario Brunetti ndërmori nismën për nderimin e figurës tjetër të rëndësishme të botës italo-shqiptare Antonio Gramshi, veprimtar antifashist me njohje europiane, teoricien, estet, krenar për origjinën e tij shqiptare.

Në kuadër të nismës “Itinerari gramsciani”, themeluar prej tij, Akademia e Shkencave bashkëpunoi ndër vite, në Shqipëri e ndër komunitetet arbëreshe, me Mario Brunetti-n. Ai ishte rregullisht i pranishëm e aktiv në veprimtaritë e organizuara nga dijetarët arbëreshë që drejtonin e drejtojnë katedrat e shqipes në Cosenza e Palermo akademikët Francesco Altimari e Matteo Mandalà./ata