Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do blejë 21 mijë ton karburant, që do të shërbejë për prodhimin e energjisë nga 2 TEC-et lundrues, që ndodhen në Vlorë.  Ky dikaster po kërkon një media ndërkombëtare për publikimin e tenderit, teksa në dokumentet shoqëruese jepen specifikimet teknike për lëndën djegëse, sasinë e kërkuar dhe afatet për sigurimin e saj. Sipas këtyre specifikimeve, konsumi i parashikuar i lëndës djegëse për 1 mWh është rreth 229 kg, çka do të thotë se sasia e karburantit që synohet të blihet,do të shërbejë për prodhimin e një totali prej 91,700 mWh energji.

Po ashtu, përcaktohet se për qëllime të funksionimit, asetet termike kanë nevojën e furnizimit me lëndë djegëse të llojit HFO, me përmbajtje të squfurit jo më të madhe se 0.5%, si dhe sasi të vogla të lëndës djegëse hidrokarbure LFO. Kjo lëndë djegëse e kërkuar për furnizim, është lëndë e cila nuk prodhohet në vend apo gjendet lehtësisht brenda vendit, për shkak të sasisë së përcaktuar të squfurit.

Ndërkaq, pas marrjes së ofertave nga kompanitë e interesuara KESH synon të nënshkruajë kontratën jo më vonë se data 5 shtator 2024, ndërsa dorëzimi i lëndës djegëse pranë Petroliferës Italo – Shqipatre, që ka fituar tenderin e depozitimit, duhet të përfundojë deri në 5 nëntor 2024.  TEC-et lundrues u pozicionuan në Portin e Triportit në shtator të vitit 2022, pas një procedure të ndërmarrë në kuadër të krizës energjetike, por deri më tani nuk janë vënë në punë./Tema