Në qytetin e Lezhës u zhvillua mbledhja dyditore e zgjeruar me pjesëmarrjen e anëtarëve të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, Kuvendit dhe përfaqësuesve të partisë në pushtet, Partisë Socialistë të Shqipërisë, me fokus prioritetet e vitit 2024.

Në një konferencë për mediat nga Lezha, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se kanë pasur mbledhjen tradicionale maratonë të shumicës qeverisëse.

"Këtë herë kemi pasur 3 sesione, një sesion me drejtuesit e grupit parlamentar, drejtuesit politikë të partisë dhe anëtarët e kabinetit, një sesion të një mbledhjeje të zgjeruar të kabinetit qeveritar me praninë edhe të zëvendësministrave dhe një sërë drejtuesish të institucioneve qendrore dhe sot një sesion të mbledhjes së ngushtë të kabinetit qeveritar. Si zakonisht, kjo maratonë prek të gjitha aspektet që lidhen me veprimtarinë e shumicës qeverisëse, veprimtarinë politike, parlamentare, qeveritare dhe pastaj duke trajtuar çdo aspekt dhe duke hyrë në çdo sektor, madje dhe nënsektorë", u shpreh Rama.

Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria është vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Evropë në vitin 2023, sipas tij, gjithmonë në terma relativë krahasuar, se çdo vend me vetveten.

Rama u shpreh gjithashtu se në diskutimin për veprat e mëdha të infrastrukturës rrugore, portuale dhe aeroportuale, kanë diskutuar dhe kanë një pamje shumë të qartë të ecurisë së punës me Korridorin Blu.

"Po ashtu, kemi pak a shumë kalendarizuar procesin për hapjen e garës ndërkombëtare për Portin e Madh të Durrësit, në Porto Romano, për të cilin do të bëjmë së shpejti një ndryshim të natyrës së financimit pasi është një projekt strategjik dhe ka një urgjencë strategjike duke qenë se kemi përfshirë edhe NATO-n në këtë proces për krahun ushtarak të portit dhe jemi në një fazë shumë të avancuar të shkëmbimit të informacionit dhe kështu ndryshimi do të jetë që do të kalojmë me financim të brendshëm", tha Rama.

Në lidhje me çështjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili akuzohet për "korrupsion aktiv në zgjedhje" dhe që ndodhet në paraburgim dhe ndaj të cilit vazhdon procesi gjyqësor, kryeministri Rama tha se presin vendimin e formës së prerë./aa