Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sot lidhur me situatën ekonomike në vend, ndërsa theksoi se “turizmi, një nga sektorët më jetikë të ekonomisë së vendit, këtë vit është përballur me një krizë të dukshme”.

“Turizmi po lëngon për shkak të mosmbështetjes nga shteti që nuk ndërhyn për të frenuar çmimet e larta abuzive, për mungesën e infrastrukturës së duhur rrugore që i mban larg turistët nga perlat tona natyrore, sidomos në Shqipërinë veriore, verilindore, dhe juglindore”, u shpreh Meta.

Meta u shpreh se “bizneset në fushën e hotelerisë dhe restoranteve, që zhvillojnë aktivitet në bregdet, buzë liqeneve apo lumenjve detyrohen me forcë të blejnë impiante për përpunimin e ujrave të ndotura, që kushtojnë nga 20 deri në 100 mijë euro, në të kundërt iu rrezikohet heqja e licencës”.

“Kjo nuk është gjë tjetër veçse gjobëvënie dhe paligjshmëri ndaj solidarizohemi me të gjithë sipërmarrësit e ndershëm në fushën e hotelerisë në bregdet, dhe i bashkohemi thirrjes së shoqatave të turizmit për t’i dhënë fund kësaj raprezalje ndaj tyre, që po dëmton seriozisht edhe turizmin”, u shpreh ai./ata