Një grup hakerësh i lidhur me Iranin shënjestroi emailet personale të mbi dhjetë njerëzve të lidhur me fushatën e ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit Joe Biden – i cili më vonë u tërhoq nga gara – duke përfshirë zyrtarë amerikanë, tha Grupi i Analizës së Kërcënimeve i kompanisë Google të mërkurën.
Në maj dhe qershor, APT42, një grup hakerësh i lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, shënjestroi vazhdimisht llogaritë personale të emaileve të mbi dhjetë njerëzve, duke përfshirë “përdorues të profilit të lartë në Izrael dhe SHBA, zyrtarë aktualë dhe ish-qeveritare, fushata politike , diplomatë, individë që punojnë në think-tanke, si dhe OJQ dhe institucione akademike që kontribuojnë në bisedat për politikën e jashtme”, tha grupi.
Përpjekje të shumta për kyçje nga APT42 janë bllokuar gjithashtu, shtoi ai.
“Raportimi i fundit publik tregon se APT42 ka shkelur me sukses llogaritë te shumë ofrues të postës elektronike”, tha grupi.
Ai theksoi se përveç sigurimit të menjëhershëm të llogarive të komprometuara dhe dhënies së paralajmërimeve për objektivat, Google ka raportuar këtë “aktivitet keqdashës” te organet e zbatimit të ligjit në fillim të korrikut dhe bashkëpunimi me ta është në vazhdim.
Kompania ka informuar gjithashtu zyrtarët amerikanë të fushatave për “aktivitet të shtuar keqdashës që buron nga aktorë shtetërorë të huaj dhe ka nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së zgjeruar të sigurisë në llogaritë personale të postës elektronike”, tha ai.
Zyrtarë izraelitë janë vënë në shënjestër gjithashtu nga APT42, i cili ka përdorur taktika të inxhinierisë sociale për të imituar gazetar që kërkon komente mbi sulmet ajrore, thuhet në raport.
“Ata gjithashtu u dërguan emaile inxhinierike sociale diplomatëve, akademikëve, OJQ-ve dhe subjekteve politike izraelite. Emailet u dërguan nga llogari të organizuara nga një sërë ofruesish të shërbimeve të postës elektronike dhe nuk përmbanin përmbajtje keqdashëse”, tha Google.
Në fillim të kësaj jave, FBI-ja njoftoi se po heton një hakim të raportuar të fushatës së Trumpit pasi ai pretendoi përfshirjen iraniane. Ndërsa FBI-ja nuk ka konfirmuar detaje, ajo pranoi të ketë pasur një “ndërhyrje kibernetike në fushatë”.
Hetimi pason raportin e fushatës së Trumpit për një qasje në dokumente, me një raport të Microsoftit që vë në dukje një përpjekje iraniane për “phishing” ndaj një zyrtari të fushatës. Irani ka mohuar çdo përfshirje.
Biden i dha fund përpjekjes së tij për rizgjedhje muajin e kaluar, duke ia dorëzuar garën nënpresidentes Kamala Harris./aa