Të paktën 40 palestinezë të tjerë u vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, duke e rritur numrin e të vdekurve që nga 7 tetori i vitit të kaluar në 40.005, tha sot Ministria e Shëndetësisë e enklavës së rrethuar.
Ministria tha në një deklaratë se rreth 92.401 të tjerë janë plagosur në ofensivën dhjetëmujore.
"Forcat izraelite vranë 40 persona dhe plagosën 107 të tjerë në tri ‘masakra’ ndaj familjeve në 24 orët e fundit", tha ministria.
"Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata", shtoi ajo.
Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar ofensivën së tij brutale në Gaza që nga një sulm i 7 tetorit 2023 nga grupi palestinez Hamas.
Mbi 10 muaj nga lufta izraelite, pjesë të mëdha të Gazës qëndrojnë në gërmadha, krahas një bllokade paralizuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e ka urdhëruar atë që të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./aa