Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale atmosferën e përgatitjeve të Karnavaleve në Shkodër.

Rama solli pamje nga “Rrugët e Shkodrës n’Karnaval”, të cilat po përgatiten për magjinë e traditës shumëvjeçare të shkodranëve dhe si ftesë për të mos u humbur në përjetimin e 3 ditëve të gëzueshme mes ngjyrave dhe humorit në datat 23-25 shkurt.

Një grup shumë i madh fëmijësh, të rinjsh e të rriturish janë përfshirë në atmosferën e Karnavaleve: nxënës e mësues, artistë, instrumentistë e akrobatë, artizanë e  bejtexhinj, punonjës të hotelerisë e kulinarisë, fotografë e dizenjues…të gjithë me pasionin për t’i dhuruar Shkodrës një fundjavë plot ngjyra, humor, shpoti e shpresë.

Shkodra është qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen. Fesimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve ’90./ata