Një person i kërkuar për mashtrim është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe në kuadër të operacionit “Para drejtësisë”.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, në kuadër të masave të marra për zbatimin e operacionit “Para drejtësisë”, vijon me intensitet shkëmbimin e informacionit me vendet e organizatat partnere për arrestimin, ekstradimin, sjelljen drejt Shqipërisë dhe vendosjen në dispozicion të organeve të drejtësisë të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Nga bashkëpunimi i Interpol Tiranës me Interpol Abu-Dabin është bërë e mundur më datë 20.08.2024 arrestimi i personit në kërkim ndërkombëtar Erlind Cekaj.

Ndaj tij, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin penal të datës 18.10.2023, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale të “Mashtrimit”, “Forma të veçanta të bashkëpunimit, grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Pas hetimeve ka rezultuar se, shtetasi Erlind Cekaj, në bashkëpunim me subjekte të tjera që punonin për një kompani të quajtur “IT PumaTS/SM Company”, të lidhur me kompaninë “Milton Group”, kanë qenë pjesë e një rrjeti të krimit të organizuar që shfrytëzonin platformat mashtruese dhe vepronin në mbarë botën. Ky rrjet drejtohej kryesisht nga qendrat e thirrjeve në Gjeorgji, Ukrainë, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, etj.

Rrjeti kriminal, në bashkëpunim me platforma të tjera mashtruese, si “Absolut Global Markets”, “AurumPro”, “Finaxis”, etj., ka mashtruar qindra persona nga vendet e Bashkimit Evropian, duke u shkaktuar atyre dëme financiare që arrijnë në miliona euro.

Hetimet kanë nisur në vitin 2021 nga disa vende, si Spanja, Gjermania, Suedia, Finlanda, Letonia, Ukraina, Gjeorgjia dhe Shqipëria, nën koordinimin e EUROJUST./ata