Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në margjina të Konventës Kombëtare Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar me senatorin Chris Murphy.
Përmes, një komunikate për media bëhet e ditur se kryeministri Albin Kurti në takimin me Murphyn ka shprehur interesimin e tij për rritjen e bashkëpunimit e shkëmbimit tregtar dhe ekonomik me aleatët e partnerët amerikanë.
Më tej, ata biseduan edhe rreth zhvillimeve në vend, situatën e sigurisë në rajon dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe momentin e rëndësishëm në politikën amerikane në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme të 5 nëntorit.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit.
Kurti shtoi se për t’u zbatuar marrëveshja, nevojitet pranimi i saj edhe nga ana e Serbisë, duke e nënshkruar atë si dëshmi e garanci të angazhimit në zbatimin e marrëveshjes.
Kryeministri Kurti nënvizoi se Serbia duhet të tërheqë letrën e dërguar drejt Bashkimit Evropian nga ana e ish-kryeministres Brnabiq dhjetorin e vitit të kaluar, përmes së cilës shprehet refuzimi dhe tërheqja nga marrëveshja nga ana e Serbisë.
“Serbia duhet të kthehet te marrëveshja dhe ta respektojë atë në mënyrë që e njëjta të zbatohet. Nuk ka zbatim të marrëveshjes, sepse para së gjithash nuk po ka respektim të saj”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri Abin Kurti po ashtu ka kërkuar që SHBA të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar që Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës, pas sulmit në Banjskë.
/KosovaPress/