Fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2024 me destinacion mbështetjen nga buxheti i shtetit për kontratat koncesionare/PPP, sipas planit vjetor të buxhetit 2024 me ndryshime janë në total rreth 14.15 miliardë lek.Nga këto, rreth 5.89 miliardë lek janë investime dhe rreth 8.26 miliardë lek shpenzime korente.
Ministria e Financave në një analizë të posaçme që i bëri zbatimit të buxhetit 2024 vlerësoi se krahasuar me pagesat faktike vjetore 2023, të cilat arritën vlerën rreth 12.66 miliardë lek, pagesat e planifikuara për vitin 2024 janë rreth 1.49 miliardë lek më të larta ose rreth 11.8% më shumë, konkretisht si rrjedhojë e:
– Planit më të lartë të pagesave 2024 për kontratat ‘Përmirësimi, Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit’ dhe ‘Përmirësim, Ndërtim, Operim, Mirëmbajta e Rrugës Porti i Jahteve – By Pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)’, në referencë të skedulit të pagesave në modelet financiare të miratuara, pjesë integrale e dy kontratave konçesionare përkatëse.
-Planit më të lartë të pagesave për vitin 2024 për kontratën “Ndërtimi i Landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”. Inceratori i Tiranës, një vepër që nuk ekziston dhe procesi është nën hetim dhe sekuestro nga SPAK, do të financohet këtë vit nga taksat e shqiptarëve me 1,27 miliardë lekë ose 20% më shumë (12 mln euro) se në vitin 2023.
Ministria e Financave raportoi se në 5 mujorin 2024, pagesat faktike për kontratat koncensionare rezultojnë në masën rreth 4.65 miliardë lek ose 32.9% të pagesave të planifikuara vjetore 2024, sipas planit me ndryshime. Krahasuar me të njëjtën periudhë 2023, ato rezultojnë rreth 705.8 milionë LEK më të larta ose 18% më shumë, që i referohet pagesave më të larta konkretisht për:
Kontratën “Përmirësimi, Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”, ku rritja e planit të pagesave vjetore 2024 ka sjellë edhe realizim më të lartë si 5M dhe Kontratën “Për përmirësimin e infrastrukturës Arsimore në Bashkinë e Tiranës (Loti 1 dhe Loti 4)”, si rrjedhojë e lëvrimit më herët të fondit vjetor për vitin 2024, nga MAS.
Në zbatim të Nenit 4/2 të Ligjit Organik të Buxhetit, shuma totale e pagesave vjetore që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme (NJQP), të cilat rezultojnë nga kontratat PPP, si rregull, nuk duhet të tejkalojë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.
Kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat PPP për vitin për vitin 2024, prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit 2023, përllogaritet në rreth 29.9 miliardë LEK. Plani i pagesave 2024 për kontratat konçesionare me PPP, të raportuara nga Autoritetet Kontraktore përkatëse, përbën 2.36% të totalit të të ardhurave tatimore faktike 2023, duke respektuar rregullin fiskal prej ‘jo më shumë se 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës’.
Shumica e kontratave koncesionare me mbështetje buxhetore janë në hetim nga SPAK për kosto të larta dhe shkeljeve të rregullave dhe ligjeve. /Monitor