Kryeministri Edi Rama, gjatë qëndrimit të tij në Shkodër, inspektoi disa kantiere ku po kryhen ndërhyrjet e nevojshme infrastrukturore dhe arsimore për zhvillimin e qytetit.

Kryeministri Edi Rama shoqërohej në këto inspektime nga kryebashkiaku Benet Beci si dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, njëherësh drejtuese politike e PS-së në qarkun e Shkodrës.

Rama theksoi se “tani është koha për një treg modern turistik për Shkodrën dhe një konvikt europian për nxënësit e shkollave profesionale”.

“Forca Benet, se duhet të bëjmë çfarë s’u bë 30 vjet dhe qeveria s’ka nga lun pa t’nimu me t’tan forcën, se Shkodrën po s’e bamë ne siç e ka meritu kaher, kush tjetër, harroje se e ban sa jena gjallë”, tha Rama.

Kryeministri pa fillimisht nga afër godinën e amortizuar të konviktit të nxënësve të shkollave profesionale e ndërtuar në vitin 1983.

Rama u informua nga kryebashkiaku Beci se në 20 vite në këtë godinë nuk është kryer asnjë ndërhyrje.

Beci bëri të ditur se ndërkohë është bërë projekti për konviktin e shkollave profesionale dhe po ndiqen procedurat duke u bërë gati për financim.

Ai bëri të ditur se nga 400 nxënës që mësojnë në një shkollë profesionale, në konvikt aktualisht janë akomoduar vetëm 18 nxënës për shkak të mungesës së kushteve.

Kryeministri kërkoi që të punohet me projektet e shkollave profesionale dhe të bëhet një investim në to.

Në vijim, Rama vizitoi ambientet e Tregut të Rusit, një treg tradicional që do të modernizohet falë ndërhyrjes që do të kryhet.

Kryebashkiaku Beci informoi se aktualisht kanë mbarur investimet për veshjet me kapotë të fasadave.

“Ndërkohë ‘Tregu i Rusit’ është një treg qendror dhe i rëndësishëm dhe është në një gjendje fare të papërshtatshme. Kemi përfunduar procedurat dhe fillojmë shumë shpejt për tregun. Po këtu mund të bëjmë edhe tregun e peshkut. Kemi bërë prapë një aplikim për tregun e peshkut për pajisjen me frigoriferë e me radhë”, tha ai.

“Faleminderit Kryeministër që i keni dhënë rëndësi Shkodrës, që i erdhi radha Shkodrës!” – iu drejtua një qytetare kryeministrit Rama.

“E sollët ju radhën, se unë isha gati…”, iu përgjigj Rama./ata