Laburistët premtojnë të mbajnë një qëndrim të ashpër kundër imigrimit të parregullt në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është përgjigja që qeveria e Keir Starmer synon t’i japë protestave të dhunshme të nisura në vend nga militantët e ekstremit të djathtë.
Nga njëra anë, premtohet një grusht i fortë kundër atyre që kanë shkaktuar ose do të shkaktojnë trazira, por nga ana tjetër, sigurohet që riatdhesimet do të kryhen në një shkallë më masive, një premtim që e bëri edhe qeveria e kaluar konservatore, por nuk arriti të mbajë.
Sekretarja e Shtetit për Punët e Brendshme, Yvette Cooper, premtoi një rritje të nivelit të dëbimeve dhe një “rritje të madhe” në fluturimet e riatdhesimit të azilkërkuesve të refuzuar.
Përfaqësuesi i qeverisë deklaroi gjithashtu se do të ketë fonde shtesë që do t’i ndahen një strukture hetimore ad hoc të Agjencisë Kombëtare të Krimit dhe se do të futet një “sistem më i mirë kontrolli” i kufijve pas Brexit në krahasim me “kaosin” e trashëguar, sipas saj nga qeveritë e mëparshme konservatore.
Cooper premtoi angazhimin e 100 oficerëve të specializuar në hetimet kundër bandës së trafikimit të qenieve njerëzore aktive në Kanalin anglez dhe rihapjen e dy qendrave të paraburgimit të emigrantëve në qarqet angleze të Hampshire dhe Oxfordshire, të afta për të mbledhur pothuajse 300 njerëz.
Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, laburistët kanë thënë se synojnë të arrijnë “normën më të lartë të largimeve të atyre që nuk kanë të drejtë të jenë këtu” që nga posti i kryeministres së Theresa May në 2018.
Stafi do të ricaktohet për të rritur largimet e azilkërkuesve të refuzuar, e cila ka rënë me 40% që nga viti 2010, tha Home Office.
“Nëse shohim largimet e detyruara, vitin e kaluar ishin 6,000 dhe në 2018 ishin 9,000, kështu që do të duheshin 3,000 të tjera, një rritje prej 50%, e cila duket e arritshme”, tha për BBC Peter Walsh, studiues i lartë.
“Tjetër gjë për të vënë në dukje është se viti 2018 nuk është një vit veçanërisht i lartë, përveç pandemisë që pa numrin më të ulët të largimeve të detyruara në 20 vjet”, shtoi ai. Siç raporton gazeta britanike The Guardian, Këshilli i Refugjatëve ka deklaruar se 36 mijë azilkërkues jetojnë ende në dhoma hoteli të papërshtatshme, me një kosto prej 5.3 milionë paund në ditë.
Të hënën e kaluar më shumë se 200 njerëz mbërritën në MB nëpërmjet varkave të vogla, duke e çuar totalin për vitin në pak më pak se 20,000 njerëz. Gati 500 kishin mbërritur të shtunën dhe më shumë se 700 më 11 gusht, një rekord që kur laburistët erdhën në pushtet në fillim të korrikut.
Sekretarja e Brendshme, Seema Malhotra, tha se në gjashtë javët e fundit, që kur laburistët fituan zgjedhjet, nëntë fluturime “kthimi” janë nisur, duke përfshirë një me më shumë se 200 njerëz./BalkanWeb