Prokuroria e Durrësit njoftoi të mërkurën se ka nisur hetimet, në bashkëpunim me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), mbi më shumë se 800 ton mbetje që dyshohet të jenë të rrezikshme, të ngarkuara në 100 kontenierë të nisur nga Porti i Durrësit në fillim të muajit korrik.

Sipas një njoftimi zyrtar, hetimi ka nisur mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, ndërkohë që dhe Drejtoria e Policisë së Durrësit ka referuar një tjetër material hetimor nën dyshimet për veprën penale “Transportimi i mbetjeve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, bazuar në “informacione të marra nga media”.

Alarmi për transportin e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u dha nga Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), një organizatë eksperte në çështjet e drejtësisë mjedisore, e cila e ka marrë emrin nga Konventa e Bazelit e vitit 1989, ku përcaktohen kufizime të qarta për tregtimin e mbetjeve të rrezikshme.

Ngarkesa mësohet të ketë zanafillën tek mbetjet e krijuara gjatë proceseve teknologjike nga aktiviteti i Kompanisë turke Kurum në zonën e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan. Dyshimet janë që transporti të jetë kryer nën dokumenta te falsifikuara si mbetje jo të rrezikshme. Ato janë shkarkuar në Terminalin e mallrave rifuxho në portin e Durrësit duke u ngarkuar më pas në konteinerë. Ndalesa e parë ka qenë fillimisht në portin e Triestes në Itali, ku kontenierët janë ngarkuar në anije të tjera, me destinacion Tajlandën.

Alarmi nga organizata BAN pasoi reagime të shumta dhe autoritetet tajlandeze njoftuan se refuzojnë shkarkimin në vendin e tyre të kontenierëve, të cilët po transportohen në bordin e dy anijeve të kompanisë ndërkombëtare Maersk. Me gjasë, sipas njoftimeve të ndryshme ndërkombëtare, ngarkesa do të duhet të rikthehet në Shqipëri, ku autoritetet kanë qenë të rezervuara në informacionet e tyre publike.

Hetimet e Prokurorisë pritet të hedhin dritë mbi të gjithë zinxhirin e veprimeve për të fshehur transportin e këtyre mbetjeve, një proces që sipas rregullave duhet të shoqërohet me procedura strikte. Prokuroria bëri të ditur se, përveç Olaf-it, ajo po bashkëpunon dhe “me institucionet ligjzbatuese shqiptare e partnerët ndërkombëtarë, për të sqaruar në mënyrë të shpejtë dhe të plotë të gjitha rrethanat e ngjarjes”./VOA