Derisa Kongresi i Partisë Demokratike vazhdonte në Chicago të SHBA-së, mijëra demonstrues marshuan drejt zonës ku u mbajt Kongresi duke kërkuar armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe përfundimin e mbështetjes së armëve nga SHBA-ja për Izraelinç
Demonstratat e grupeve që kërkojnë që SHBA-ja të ndalojë mbështetjen për Izraelin, vazhdojnë gjatë Kongresit të Partisë Demokratike i cili filloi në Chicago të hënën.
Mijëra njerëz nga dhjetëra organizata joqeveritare të mbledhur nën ombrellën e "Koalicionit të Chicagos për Drejtësi për Palestinën" marshuan për armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe për t'i dhënë fund ndihmës së SHBA-së për Izraelin.
Protestuesit u takuan në Parkun Union në qendër të qytetit dhe pasi brohoritën për pak kohë me slogane ata u nisën më pas drejt qendrës "United Center" ku u mbajt Kongresi i Partisë Demokratike.
Protestuesit brohoritën me slogane të tilla si "Armëpushim i menjëhershëm në Gaza", "Liri për Palestinën" dhe "Stop gjenocidit" si dhe mbajtën në duar pankarta që dërgonin mesazhe të ndryshme për administratën e Bidenit për Gazën.
Policia e Chicagos e cila ndërhyri ashpër kundër demonstruesve në protestën e djeshme, mori masa të gjera sigurie rreth demonstruesve dhe nuk i lejoi të afrohen në zonën ku mbahej Kongresi.
- "Administrata e Bidenit, bashkëpunëtore në krimin në Gaza"
Zëdhënësi i Koalicionit të Chicagos për Drejtësi për Palestinën, Hatem Abudayyeh në deklaratën për gazetarin e AA-së tha se pavarësisht mbajtjes së Kongresit të demokratëve, emocioni dhe ndjenja e vërtetë është në rrugët e Chicagos dhe se njerëzit treguan ndjeshmërinë e tyre për Gazën.
Duke tërhequr vëmendjen se shumë njerëz nga segmente të ndryshme shoqërore morën pjesë në protestë, Abudayyeh tha se "Këto organizime që kërkojnë drejtësi sociale thanë me një zë të vetëm 'Palestinë e lirë', 'Ndaloni gjenocidin' dhe 'SHBA-ja duhet të ndalojë dërgimin e armëve në Izrael'. Ky është një sukses i rëndësishëm".
"Mesazhi im për liderët e Partisë Demokratike është i qartë. Edhe ju jeni palë e këtij krimi, ju jeni përgjegjës për këtë. Më shumë se 40 mijë palestinezë janë vrarë, ndoshta do të vriten më shumë. Gjaku i këtyre njerëzve është në duart e tyre. Biden mund të mbyllë menjëherë rubinetin e parave dhe armëve për Izraelin. SHBA-ja ka fuqinë për ta bërë këtë. Nëse e keni këtë fuqi dhe nuk e bëni këtë, atëherë edhe ju jeni bashkëpunëtor në këtë krim, jeni përgjegjës këtu", tha Abudayyeh.
Një protestues, anëtar i lëvizjes kundër luftës "Codepink" tha se morën pjesë në këto demonstrata për të mbështetur popullin në Gaza dhe se do të vazhdojnë këtë solidaritet.
Një tjetër demonstruese e quajtur Noura Ibrahim, me origjinë palestineze tha se SHBA-ja duhet të vendosë menjëherë embargo armësh ndaj Izraelit dhe të ndërmarrë hapa për armëpushim të menjëhershëm në Gaza./aa