Më shumë sesa një vit më parë, u prezantuan projektet e tri stadiumeve të reja që do të ndërtohen në Vlorë, Korçë dhe Durrës, por edhe pse ka kaluar një kohë e konsiderueshme, stadiumet kanë mbetur vetëm në letër, pasi këto projekte nuk po zbatohen.

Në prezantimet e tyre në majin e kaluar ka qenë i pranishëm edhe vetë Kryeministri, Edi Rama, ndërsa po shkojmë drejt shtatorit 2024 dhe nuk ka asnjë të re në lidhje me fillimin e punimeve për të ndërtuar këto tri stadiume që janë premtuar me shumë bujë nga qeveria aktuale. Në Durrës projekti është fituar nga një studio belge e cila e ka rikonceptuar stadiumin e ngjashëm me atë të ekipit argjentinas Boka Xhuniors, i famshmi “La Bombonera”, ndërsa jo vetëm kaq, pasi rreth tij do të ndërtohen disa kulla.

Ndërsa në Korçë, projekti është fituar nga studioja daneze “Cebra Architecture”, që do të sjellë ndërtimin e disa godinave jo shumë të larta rreth e rrotull stadiumit, të përshtatura me arkitekturën e qytetit, disa fusha të tjera dhe edhe godina ku do të ketë edhe shërbime të tjera për qytetarët si edhe hapësira argëtuese, përfshirë këtu edhe një park. Po ashtu edhe në Vlorë, fituese për projektin u shpall studioja belge ‘XDGA’.

Modeli i stadiumit të ri përkon dhe ngjan me atë të “Air Albania”-s, me ndërtimin e disa kullave që do të jenë për shërbime multifunksionale. Problemi qëndron se asnjë lëvizje nuk ka deri sot dhe këto projekte nuk po zbatohen në terren. Aktualisht të tria ekipet si Flamurtari, Teuta dhe Skënderbeu i kanë stadiumet e tyre, jo në gjendjen më të mirë të mundshme./Tema