Nga Janari e në Korrik, 5500 turistë vizituan Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, godina ikonë në Vlorë. Interesi është i lartë dhe gjatë muajit gusht, ku gjejmë turistë të ardhur nga shtete të ndryshme të europës dhe shqiptarë të diasporës.
“Historia e Shqipërisë po me hyn në zemër. Shoh se është një vend që ka luftuar shume për lirinë, është vend i ri ende, ka nevoje te zhvillohet dhe zhvillimi do të ndodhë në të ardhme të afërt. Vendi juaj është nje vend turistik por shpresoj të mos gaboni si ne, në Spanjë. Ju keni nevoje për turizëm cilësor, jo sasior.
“Është një vend shumë interesant, ka hapësirë ku të shkosh dhe jemi mjaftueshëm të kënaqur sepse kemi parë Beratin, Shkodrën, Tiranën, Lezhën dhe Durrësin”, shprehen turistët.
Kjo godinë dykatëshe, pas shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor të vitit 1912, u bë selia e Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit për 14 muaj. Disa vite më pas u shpall Muze Kombëtar. Eshtë i pajisur me dokumente të rëndësishme, fotografitë e Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit. Kabinetin e punës si dhe sallën e mbledhjeve të qeverisë së përkoshme të Ismail Qemalit, flamujt origjinal të çetave kryengritëse, libra origjinalë të rilindësve të asaj periudhe./Tema