Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot ftesën e shoqatës United Nations Association Albania për t’iu bashkuar takimeve të diskutimit në bashkëpunim me ministrinë dhe grupet e interesit, me qëllimin për të diskutuar çdo rekomandim dhe propozim të gjeneruar nga grupet e punës të ngritura, duke përfshirë kështu drejtpërdrejt komunitetin artistik dhe duke siguruar që të gjithë zërat të jenë pjesë integrale e procesit të hartimit të politikave.
UNAA bëri të ditur sot se në raundin e dytë të projektit UNAA x Artnexus, do të rritet angazhimi për të nxitur politika kulturore më të hapura, gjithëpërfshirëse dhe demokratike në Shqipëri.
Kjo fazë vjen pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes UNAA-s dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i cili u firmos këtë verë pas prezantimit të studimit mbi mekanizmat e mbështetjes dhe burimet financiare për artin pamor në Shqipëri, mbajtur në prani të komunitetit artistik, thekson UNAA.
UNAA thekson se “pjesë e misionit është hapja, duke siguruar që politikat e kulturës të jenë transparente dhe të aksesueshme për të gjithë aktorët e komunitetit kulturor. Përfshirja, duke krijuar një platformë ku zërat e ndryshëm, veçanërisht ata të margjinalizuar, dëgjohen dhe vlerësohen në procesin e politikëbërjes; Demokratizimi, duke punuar drejt politikave kulturore më të mira për të gjithë”./ata