Titulli ‘pronar’ po i bën shqiptarët gjithnjë e më borxhlinj nëpër banka, sidomos në vitet e fundit ku çmimet e larta të pronave po e bëjnë vlerën e kredisë së marrë mjaft të kripur për qytetarët. 67% e kredisë së marrë në 6 muajit e parë të këtij viti, ka qenë kryesisht për blerje banese, ndërsa norma mesatare e interesit ka rezultuar 4.1% nga 4.2% të vitit të kaluar.

Por për shkak të rritjes së pandalshme të çmimeve të apartamenteve, që automatikisht po rrit edhe vlerën e kredisë që kërkojnë qytetarët pranë bankave për të blerë shtëpi, i ka bërë bankat edhe më skeptike në miratimin e tyre.

“Standardet e kreditimit për individët raportohen lehtësisht më të shtrënguara krahasuar me gjysmën e dytë të vitit të mëparshëm, në reflektim të gjykimit të bankave mbi aftësinë paguese të kredimarrësve dhe zhvillimeve aktuale e të pritura në tregun e banesave”, thotë Banka e Shqipërisë.

Kjo sjellje e bankave vijon ende, pasi për tremujorin e tretë të vitit ato kanë paralajmëruar se do të shtrëngojnë edhe më tej kushtet e kredisë jo vetëm për blerje banese por edhe të konsumit.

Ndërsa kushtet për bizneset janë më lehtësuese dhe kërkesa më e madhe për kredi është bërë nga bizneset e mëdha thotë banka, e ndikuar nga projektet e mëdha infrastrukturore që po financohen me hua nga sektori bankar.

“Zgjerimi vjetor i kredisë së biznesit të madh reflekton, ndër të tjera, edhe financimin e projekteve infrastrukturore të qeverisë”, thuhet në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë.

Afro 51.4 mld lekë kredi kanë dhënë bankat e nivelit të dytë në 6 muajit e parë të këtij viti, dhe në fund të muajit qershor totali i kredisë së dhënë për ekonominë arriti në 795.5 miliardë lekë.

 

TOTALI I KREDISË PËR EKONOMINË

Dhjetor 2023           744,163 mln lekë

Qershor 2024          795,581 mln lekë

Rritja                       +51,418 mln lekë

/Shqiptarja