Vera ka ardhur dhe programimi i pushimeve rrit me shpejtësi numrin e prenotimeve për ambientet me qira afatshkurtër në të gjithë Europën. Sipas të dhënave të mbledhura nga AirDna (portali i statistikave dhe matjeve të banesave që mbledh informacione nga Airbnb e Vrbo të 1.5 milion menaxherëve pronash) kërkesa për muajin qershor dhe korrik regjistron një rritje prej 17% në krahasim me vitin 2023. Ndërsa rritja për muajin gusht është me 22%.

Për sa i përket destinacioneve, vendet që shënojnë numrin më të madh të prenotimeve në bazë vjetore për tremujorin e verës, nuk janë më vende mesdhetare por vende të Europës veriore dhe lindore: Finlanda +31%, Norvegjia +30%, Polonia +29%, Gjermania +29% dhe Republika çeke +26%. Nga ana tjetër, kërkesa më e dobët është ajo e destinacioneve që shënuan një përshpejtim të fortë vitin e kaluar, si Portugalia +14% dhe Italia +13%.

Në vend të kësaj, renditja e qyteteve dominohet nga Mynihu. Me një rritje të prenotimeve prej mbi 50%, qyteti gjerman – i cili do të presë ndeshjen hapëse të Kampionatit Europian të Futbollit më 14 qershor – konfirmon veten si një vend në modë për verën e vitit 2024. Ndër qendrat urbane italiane në rritje, janë Milano dhe Palermo.

Krahasuar me qershor-gusht 2023, kërkesat u rritën më shumë në Danimarkë +27%, Britani e Madhe +16%, Spanjë +14%, Poloni +13% dhe Gjermani +13%. Në fund të renditjes janë Hungaria +5%, Norvegjia +4%, Suedia +2%, Greqia +1% dhe Kroacia ku kërkesat për sezonin e verës janë më të ulëta se ato të vitit të kaluar -3%.

Me të dhënat e përpunuara nga AirDna është e mundur që të kemi një pamje të tarifave mesatare të aplikuara në Europë për verën e ardhshme. Në krye është Islanda ku për një qira afatshkurtër në periudhën mes qershorit dhe gushtit do të paguani mesatarisht 264 euro, e ndjekur nga Principata e Monakos 261 euro dhe Britania e Madhe 260 euro.

Tarifat e dy destinacioneve të Europës Jugore si Spanja 253 euro dhe Greqia 236 euro janë gjithashtu të larta. Italia vjen në vendin e tetë me 210 euro, e ndjekur nga Turqia 207 euro. Tarifat në Europën Lindore janë shumë më të lira: më e lira nga të gjitha është Kosova 50 euro. Në Shqipëri, një destinacion që është rritur shumë si destinacion turistik kohët e fundit, njerëzit shpenzojnë 84 euro. Nga ana tjetër, Ankaraja është kryeqyteti më i lirë 40 euro, ndërsa tarifa mesatare në Tiranë është 50 euro./Tema