Grupi jemenas Houthi tha se kanë shënjestruar dy anije në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit për shkelje të dyshuar të një ndalimi për hyrjen në portet izraelite përmes korsive ndërkombëtare të transportit detar.
"Në përgjigje ndaj agresionit amerikan dhe britanik kundër vendit tonë, forcat e armatosura (Houthi) kryen dy operacione ushtarake në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit duke përdorur disa anije luftarake, raketa balistike dhe lundruese dhe dronë", tha zëdhënësi ushtarak i grupit, Yahya Saree, thuhet në një video-mesazh të enjten.
Ai shtoi se forcat e grupit "vënë në shënjestër cisternën e naftës SOUNION (me flamur grek) në Detin e Kuq, duke e bërë atë të fundoset, dhe anijen (komerciale me flamur të Panamasë) SW North Wind I në Gjirin e Adenit, duke e goditur me saktësi".
Saree tha se "shënjestrimi i dy anijeve ishte për shkak të shkeljes së ndalimit të hyrjes në portet e Palestinës së pushtuar", pa specifikuar pronësinë e anijeve.
Të mërkurën, anija MV SOUNION u sulmua me disa predha ndërsa po lundronte në brigjet e Jemenit në Detin e Kuq, gjë që rezultoi në dështimin e motorit, sipas një deklarate nga Aspides, misioni detar i Bashkimit Evropian në Detin e Kuq.
Ambasadori britanik në Jemen tha të enjten se anija, me 150.000 tonë naftë, u bllokua në Detin e Kuq pasi pësoi dëme të konsiderueshme.
Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit.
Houthit kanë vënë në shënjestër anije mallrash të lidhura me Izraelin në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit në shenjë solidariteti me Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme izraelite që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Në fillim të këtij viti, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, njoftoi një mision shumëkombësh, operacionin "Prosperity Guardian", për të kundërshtuar sulmet e Houthive./aa