Nesër në Istanbul do të mbahet premiera "Dokumentari Spitali Al-Shifa-14 Ditët e Mizorisë", përgatitur nga "Recorded for Humanity Initiative" dhe platforma dixhitale Al Jazeera 360, partner i së cilës është Agjencia Anadolu, partner global i komunikimit.
Dokumentari, i cili do të takojë audiencën në sallën Marmara të Qendrës Ndërkombëtare të Konventave dhe Ekspozitave Lütfi Kırdar të Istanbulit, tregon për bombardimin e spitalit Al-Shifa në Gaza nga Izraeli.
Në aktivitetin e organizuar nga Iniciativa "Recorded for Humanity", e cila u themelua për të mbajtur gjallë kujtesën historike dhe për të regjistruar gjenocidin e kryer nga Izraeli në Palestinë dhe Gaza, do të mbahet edhe një panel me regjisor dokumentar si folës.
Në panelin e moderuar nga aktivisti Enes Yalman, do të jenë folës regjisori, Obada Al Baghdadi, doktoresha e Gazës, Fadia Malhis, gazetarët, İbrahim Saber, Bekir Cantemir dhe kryeredaktori i TV Habertürk, Mehmet Akif Ersoy.
Para shfaqjes mund të vizitohet edhe një ekspozitë e përbërë nga fotografi të fotoreporterëve të Anadolu-s, të cilët janë dëshmitarë të gjallë të procesit të gjenocidit që po zhvillohet në Gaza që prej 7 tetorit 2023.
- Masakra e Spitalit Al-Shifa
Ushtria izraelite bastisi spitalin Al-Shifa, që ndodhet në perëndim të qytetit të Gazës, ku u strehuan më shumë se 7 mijë pacientë palestinezë dhe të zhvendosur, mëngjesin e 18 marsit dhe rrethoi kompleksin ku u strehuan palestinezët e zhvendosur.
Më shumë se 800 persona u arrestuan dhe u morën në pyetje nga forcat izraelite gjatë bastisjes dhe më shumë se 170 u vranë.
Me tërheqjen e ushtrisë izraelite u gjetën varreza masive me kufoma të djegura./aa