Mbi 80% e partive politike në Shqipëri nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe ekzistojnë vetëm në letër, çka sipas ekspertëve thekson nevojën për ndryshime ligjore për të rritur transparencën dhe llogaridhënien.

 

Më 4 gusht, Bashkia e Himarës në jug të vendit iu drejtua kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e ri, pas arrestimit të debatueshëm të Fredi Belerit dhe humbjes së mandatit të tij për shkak të dënimit për korrupsion në zgjedhje.

Gara u zhvillua mes Vangjel Tavos nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikuria nga koalicioni opozitar, por i la indiferente partitë e tjera politike.

Nga 131 parti të regjistruara në Gjykatën e Tiranës, vetëm 11 prej tyre u regjistruan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në votimet për Bashkinë e Himarës. Kjo është një panoramë e zakonshme e proceseve elektorale në Shqipëri, ku vetëm një pjesë e vogël e partive politike janë aktive dhe marrin pjesë rregullisht në proceset elektorale.

Nga rënia e sistemit komunist në vitin 1991 e deri më sot, në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar 134 parti politike gjithsej, por vetëm tre prej tyre janë çregjistruar sipas të dhënave të siguruara nga Gjykata e Tiranës.

Megjithatë, sipas një raporti auditi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më shumë se 80% e tyre ekzistojnë vetëm në letër. Raporti evidentoi gjithashtu se 107 parti politike ishin në shkelje të ligjit, pasi nuk kishin një zyrë, një adresë dhe në disa raste kryetarët kishin ndërruar jetë.

Ekspertët e politikës në Shqipëri theksojnë se ky është një tregues i informalitetit të lartë të partive politike në Shqipëri, ndërsa shprehin nevojën e rishikimit të ligjit për Për Partitë Politike.

“Rreth 92% e partive politike rezultojnë që janë informale, pra nuk ekzistojnë as adresat praktike, as strukturat, as mundësitë për të kontaktuar kryetarët dhe drejtuesit e tyre, duke çuar një informalitet të skajshëm të partive politike,” i tha BIRN Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike.

Ligji ‘Për Partitë Politike’ është miratuar në vitin 2000 dhe i jep mundësinë çdokujt që të krijojë një parti politike, me kushtin që të mbledhë 3 mijë firma dhe t’i dorëzojë ato në Gjykatën e Tiranës, së bashku me statutin e partisë. Por ligji nuk ka asnjë parashikim se çfarë do të ndodhë nëse themeluesit largohen nga kjo forcë politike, ose në rastin më të keq, ndërrojnë jetë.

Rezart Kthupi, ekspert i proceseve zgjedhore i angazhuar më parë me Partinë Demokratike mendon gjithashtu se ligji ka vakuume të mëdha dhe nevojë urgjente për ndryshime. “Problemi kryesor i ligjit është mungesa e kontrollit. Gjykata është institucioni i cili vihet në lëvizje vetëm me kërkesën e palës (partisë politike) dhe nuk ka mekanizma të kontrollit mbi veprimtarinë e partisë politike,” tha Kthupi.

“Në formën aktuale të ligjit nuk ka asnjë mekanizëm ligjor, qoftë ky administrativ apo gjyqësor, i cili të mund të vlerësojë nëse një parti politike i përmbush më kushtet që duhen për regjistrimin e saj, apo nëse vijon të ekzistojë, në kuptimin e aktivitetit të brendshëm partiak apo në kuptimin e aktivitetit politik,” shtoi ai.

Partitë politike në Shqipëri nuk kanë vetëm probleme formale, por edhe në mënyrën se si funksionojnë për të garantuar transparencën, llogaridhënien si dhe zbatimin e statutit për zgjredhjet e brendshme. Sipas Kthupit, kjo nuk vjen vetëm për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme, por edhe të mekanizmave ligjorë.

“Problemi më i madh i ligjit aktual është pikërisht mungesa e mekanizmave vlerësues nëse statutet e partive politike respektohen apo jo,” tha ai, duke shtuar se “demokracia e brendshme fillon me zbatimin e rregullave të përbashkëta mbi të cilat është themeluar partia”.

Në përgjithësi, statutet e partive sanksionojnë zgjedhje periodike, ku mandatet variojnë nga 3 deri në 5 vite për të gjitha organet drejtuese, por a respektohen këto afate?

“Ajo që ndodh rëndom është që pavarësisht parashikimeve statutore, pjesa dërmuese e partive politike nuk kryejnë zgjedhje periodike, pikërisht sepse ligji nuk ka parashikuar asnjë instrument, i cili e detyron partinë politike që t’i realizojë ato. Mbetet vetëm në vullnetin e organeve drejtuese të partisë ta zbatojnë ose jo statutin,” theksoi Kthupi.

Ligji aktual nuk parashikon domosdoshmërisht regjistrimin e organeve drejtuese të partisë, me përjashtim të kryetarit, gjë që sipas Krasniqit ka bërë që këto parti të sundohen nga kryetarët e tyre.

“Individët kryetarë, të cilët sundojnë partitë politike, i trajtojnë si grupimet e familjes së tyre, të biznesit të tyre, të karrierës së tyre personale, të CV-së së tyre dhe të nevojave të tyre personale,” tha Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike.

Nevojën për ndryshimin e ligjit, Krasniqi e përforcon dhe me kërkesat e Bashkimit Evropian për Shqipërinë, ku vendi duhet të përgjigjet edhe për transparencën e partive politike. Por duke qenë se këto “detyra shtëpie” janë në kapitujt e fundit, Krasniqi është pesimist se reformimi mund të bëhet së afërmi.

“Procesi i reformimit të partive do jetë i largët dhe fatkeqësisht nuk është prioritet kryesor as në dokumentet ndërkombëtare referuar Shqipërisë, por ngelet kushti i vetëm që përmes demokracive në partitë politike të kemi demokraci në Shqipëri”, përfundoi ai./BIRN