Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj ka vijuar takimet për prezantimin dhe diskutimin e draftit të Strategjisë së Komunikimit të Kuvendit 2024-2027, për të cilin Kuvendi po mbështetet nga Prezenca e OSBE në Tiranë.

Në vazhdën e takimeve konsultative, Grupi i Punës sot ka zhvilluar një takim me përfaqësues të stafit politik të atashuar pranë grupeve parlamentare dhe kabineteve në Kuvend. Ky takim ndjek atë të pak ditëve më parë për konsultimin e draftit me gazetarë të akredituar pranë Kuvendit.

Gjatë takimeve, Gjonçaj ka theksuar se strategjia e re do të shërbejë për krijimin e një sinergjie edhe më të mirë mes Kuvendit dhe publikut, me qëllim primar rritjen e transparencës, besueshmërisë dhe aksesueshmërisë në aktivitetin parlamentar.

Gjonçaj ka inkurajuar për të kontribuar me komente dhe sugjerime për përmirësimin e mëtejshëm të draftit të Strategjisë.

Përfaqësuesit e zyrës së prezencës së OSBE-së në Tiranë kanë nënvizuar rëndësinë e takimeve të tilla konsultative gjithëpërfshirëse për forcimin e urave të komunikimit, por dhe rrahjes së mendimeve dhe sjelljen e ideve për gjetjen e mekanizmave të duhur për përfshirjen e afrimin me grupet e interesit dhe publikun, çka do të ndikojë në rritjen e besimit të publikut dhe fuqizimin e efiçencës së institucionit.

Gjatë takimeve, gazetarët dhe përfaqësuesit e stafeve politike kanë paraqitur komente dhe sugjerime për përmirësimin e draftit të Strategjisë së Komunikimit 2024-2027, si dhe disa shqetësime lidhur me infrastrukturën, përmirësimin e faqes web, akomodimin dhe orientimin pranë ambienteve të Kuvendit, qasje të përmirësuar në komunikimet dhe sigurinë, etj.

Shtyllat kryesore të draftit të Strategjisë së Komunikimit 2024-2027, synojnë që organi ligjvënës dhe përfaqësues i interesit të qytetarëve, të krijojë më shumë akses për publikun dhe nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje./ata