Riktheni diasporën, rekomandoi pak javë më parë Banka Botërore qeverisë. Kthehuni punoni në Shqipëri është thirrja e vazhdueshme e kreut të qeverisë për shqiptarët që punojnë jashtë vendit.

Por, sa gati është tregu t’i kthejë të larguarit?

Edhe pse bizneset vuajnë për punonjës shifrat e institucioneve zyrtare tregojnë se tregu i zi i punës po i shtrin rrënjët çdo vit e më shumë në ekonominë shqiptare.

Nga inspektimet e kryera në 5923 biznese gjatë muajve të këtij viti janë identifikuar 1524 punonjës informale, të cilët ishin të pa regjistruar ose për ata nuk janë paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Kjo shifër është 52% më e lartë se e një viti më parë, çka tregon se bizneset vijojnë të abuzojnë me mundin e punonjësve, të cilët punojnë por ose nuk i deklarojnë ose nuk ju paguajnë sigurimet. Për këto shkelje 63% e masave të marra ka qenë me gjobë, ndjekur nga pezullim aktiviteti e paralajmërim.

“Inspektimet për ankesat janë rritur me 31%, ku 63% prej tyre rezultuan me masa administrative (pezullim, paralajmërim, gjobë). 33% e inspektimeve përfunduan me masa administrative, +24% inspektime më shumë krahasuar me 2023”, thotë inspektorati i punës.

Përtej këtij informaliteti që institucionet e zbulojnë përmes inspektimeve, një tjetër fenomen me pasoja të rënda ndodh çdo ditë në kurriz të qytetarëve, që është nëndeklarimi i pagave, pra një pjesë e rrogës në bankë e tjetra në dorë. Në këtë mënyrë ulet automatikisht edhe vlera e kontributeve që punëdhënësi paguan, duke bërë që punonjësi të përfitojë më pak shërbime shëndetësore falas dhe më pak pension. Fenomen ky i pohuar nga vetë bizneset në anketën e Këshillit të Investimeve.  Ndërsa Ministria e Financave në raportin 5-mujor të këtij viti thotë se punësimi vijon të përmirësohet ndikuar prej rritjes së pagave./Shqiptarja