Në bashkëpunim me Drejtorinë e Komunikimeve të Presidencës së Türkiyes, agjencia globale e lajmeve Anadolu filloi sot në Ankara një program treditor të trajnimit të gazetarisë vizuale për gazetarët libianë.

Gazetarët libianë që marrin pjesë në program do të trajnohen nga kolegë që kanë fituar përvojë në këtë fushë. Pas marrjes së certifikatave, gazetarët do të marrin pjesë edhe në një program ekskursioni kulturor.

"Ne vazhdojmë të jemi nikoqirë të kolegëve tanë nga e gjithë bota dhe rajonet vëllazërore", tha drejtoresha e Akademisë Anadolu, Zeynep Bayramoğlu Öztürk, duke shtuar se nëntë gazetarë libianë kanë marrë tashmë trajnime në Akademinë Anadolu.

Öztürk theksoi se Anadolu operon në 144 vende dhe ka 39 zyra dhe qendra transmetimi në mbarë botën.

Më tej, ajo përmendi se agjencia e lajmeve, me abonentë në 76 shtete, shpërndan përmbajtje në 13 gjuhë dhe vetëm në vitin 2023 gjeneroi 2,1 milionë përmbajtje.

Numri mesatar ditor i lajmeve të Anadolu është 1.368, tha ajo.

Öztürk theksoi se portali Anadolu Images, i cili ofron qasje në fotografitë dhe videot e Anadolu-t nga e gjithë bota, u ka shërbyer abonentëve që nga viti 2014.

Ajo nënvizoi se Akademia Anadolu ofron trajnime praktike dhe sistematike për gazetarët që të përshtaten me zhvillimet në media, platformat dhe teknologjitë e reja.

Agjencia e lajmeve trajnoi 1.413 gazetarë të brendshëm dhe 170 gazetarë të jashtëm në një sërë temash në vitin 2023, shtoi Öztürk./aa