Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi diskutoi me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelatty lidhur me përpjekjet për armëpushim në Rripin e Gazës dhe uljen e tensioneve në rajon.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme jordaneze thuhet se Safadi zhvilloi bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm egjiptian, Abdelatty.

Në deklaratë thuhet se është diskutuar armëpushimi në Rripin e Gazës dhe përpjekjet për të ulur tensionet në rajon. "Ministrat konfirmuan se ndalimi i sulmeve të Izraelit ndaj Gazës është përpjekja e tyre prioritare", thuhet më tej.

"Armëpushimi që do të sigurohet në Gaza do të ishte hapi i parë në uljen e tensioneve që mund të çojë në një luftë rajonale. Ministri Safadi u shpreh se ata mbështesin përpjekjet Egjipt-Katar-SHBA për armëpushim në Gaza", theksohet në deklaratë.

Ministria e Jashtme jordaneze njoftoi se janë diskutuar shkeljet e vazhdueshme të Izraelit në Bregun Perëndimor dhe Kudsin e pushtuar dhe se Safadi dhe Abdelatty dënuan ashpër thirrjen e ministrit të Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben Gvir për të ndërtuar sinagogë në xhaminë Al-Aksa.

 

- Ben-Gvir nga e djathta ekstreme tha se donte të ndërtonte sinagogë në Al-Aksa

Ministri izraelit Ben-Gvir foli në radion e ushtrisë izraelite dhe pretendoi se politika aktuale "i lejon hebrenjtë të bëjnë adhurime" në Al-Aksa.

Sipas lajmit, në pyetjen se "A do të ndërtonit një sinagogë në xhaminë Al-Aksa?" Ben-Gvir u përgjigj me "Po".

Zyra për media e Kryeministrisë izraelite në deklaratën me shkrim pas deklaratave të ministrit Ben-Gvir mbrojti idenë se "status quo"-ja në Al-Aksa nuk ka ndryshuar./aa