Departamenti i Shtetit të SHBA-së deklaroi se "provokimet vetëm rrisin tensionet" pas deklaratës së ministrit të Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben Gvir për ndërtimin e një sinagoge në xhaminë Al-Aksa.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit iu përgjigj pyetjes së gazetarit të Anadolu-t në lidhje me deklaratën e ministrit izraelit Ben-Gvir për ndërtimin e një sinagoge për hebrenjtë në Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar.

"Provokimet vetëm do të përshkallëzojnë tensionet në një kohë kur vëmendja duhet të përqendrohet në përpjekjet e vazhdueshme diplomatike për lirimin e pengjeve, për të siguruar një marrëveshje armëpushimi dhe për të krijuar kushte për stabilitet më të gjerë rajonal", tha zëdhënësi.

Duke potencuar se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për ruajtjen e "status quo"-s historike, zëdhënësi tha se vendi i tij do të vazhdojë të kundërshtojë hapat e njëanshëm që dëmtojnë sigurinë dhe konfliktin e Izraelit me sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

 

- Ben-Gvir nga e djathta ekstreme tha se donte të ndërtonte sinagogë në Al-Aksa

Duke folur për radion e ushtrisë izraelite, Ben-Gvir pohoi se politika aktuale "i lejon hebrenjtë të falen" në Al-Aksa. I pyetur se "A do të ndërtonit një sinagogë në xhaminë Al-Aksa?", Ben-Gvir u përgjigj me "Po".

Në deklaratën e saj me shkrim pas deklaratave të ministrit Ben-Gvir, Zyra për media e kryeministrisë izraelite pretendon se "status quo"-ja në Al-Aksa nuk ka ndryshuar.

Deklaratat e Ben-Gvir vazhdojnë të shkaktojnë reagime nga shumë drejtues të vendeve dhe organizata ndërkombëtare./aa