Rritja e nivelit të Oqeanit Paqësor tejkalon mesataren globale, e cila kërcënon disa shtete ishullore, sipas një raporti të Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO).

Në raport thuhet se niveli i ujit po rritet sepse temperaturat e larta të shkaktuara nga djegia e vazhdueshme e lëndëve djegëse fosile po shkrin akullnajat, raporton Reuters.

 “Aktivitetet njerëzore kanë dobësuar kapacitetin e oqeanit për të na mbajtur dhe mbrojtur, dhe me rritjen e niveleve, oqeani po bëhet një kërcënim në rritje”, tha Sekretarja e Përgjithshme e WMO, Celeste Saulo.

Rritja e niveleve të oqeaneve ka çuar tashmë në një rritje të shpeshtësisë së përmbytjeve, e cila është veçanërisht e zakonshme në ishujt si Ishujt Kuk dhe Polinezia Franceze.

Rreth 34 fatkeqësi natyrore si stuhitë dhe përmbytjet u raportuan në rajonin e Paqësorit në vitin 2023, duke rezultuar në më shumë se 200 vdekje, thuhet në raportin e WMO, duke shtuar se vetëm një e treta e shteteve të vogla ishullore kanë sisteme paralajmërimi të hershëm.

Saulo vuri në dukje se ndikimi i rritjes së nivelit të ujit në ishujt e Paqësorit është në mënyrë disproporcionale i lartë, pasi lartësia mesatare e tyre është vetëm një ose dy metër mbi nivelin e detit./OraNews