Qeveria gjermane ka njoftuar se do të dhurojë 100,000 doza të vaksinës së lisë së majmunit në vendet afrikane ku virusi qarkullon më shumë, si Republika Demokratike e Kongos.
Për momentin Gjermania ka rreth 118 mijë doza në dispozicion dhe objektivi, tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit, është të kontribuojë në “përpjekjet ndërkombëtare për të kontrolluar MPOX në kontinentin afrikan”.
Prandaj, qeveria gjermane do të financojë programe në lidhje me shpërndarjen e vaksinave dhe do të bashkëpunojë me Bashkimin Afrikan për të inkurajuar prodhimin vendas. Dozat duhet të jenë të disponueshme në një afat të shkurtër dhe të vijnë nga stoku i ushtrisë gjermane, tha zëdhënësi i kancelarit Olaf Scholz, Steffen Hebestreit.
OBSH kohët e fundit aktivizoi nivelin më të lartë të alarmit në përgjigje të shpërthimeve të Mpox në Afrikë dhe shfaqjes së një varianti të mundshëm më të rrezikshëm. Përveç Republikës Demokratike të Kongos, në këtë çështje janë përfshirë edhe Burundi dhe vendet fqinje.
Gjermania po shqyrton zgjerimin e ndihmës së vaksinimit në vendet e tjera të Afrikës Qendrore, duke pasur parasysh situatën e shpërthimit të Mpox në rajon. Burundi, një vend në kufi me Republikën Demokratike të Kongos, është ndër ata që kanë nevojë për ndihmë./OraNews