Qyteti i një mbi një dritareve vijon të zgjojë kuriozitetin e turistëve vendas e të huaj, jo vetëm për arkitekturën dhe monumentet e kulturës, por edhe për kulinarinë.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video, ku turistët mësojnë si të gatuajnë recetat tradicionale të Beratit dhe jo vetëm.

“Vajza dhe djem të rinj, çifte, familje që vizitojnë Beratin zgjedhin të mësojnë sekretet e recetave tradicionale, për t’i marrë me vete së bashku me shijen e udhëtimit. Lumturija, zonja që prej vitesh gatuan në restorantin e saj në Roshnik, është një nga zonjat që u mëson turistëve edhe ato receta që quhen sfiduese, si lakrori me lakra të egra apo roshnicat”, shkruan Rama.

Turistët gjatë eksperiencave të tyre kulinare fillojnë me takimin e fermerëve dhe banorëve të zonës dhe vazhdojnë me mbledhjen e produkteve nga pemët ose bimët dhe më pas me gatimin dhe shijimin e tyre.

Për turistët është shumë e rëndësishme që gjatë eksperiencës kulinare të marrin informacion rreth traditave dhe kulturës nëpërmjet historive të fermerëve, ndërsa janë duke mbledhur ose punuar bashkë me ta.

Turistët mësojnë të gatuajnë disa receta shqiptare si japrakët, byrekët, tavat e ndryshme, por mësojnë historinë se si çdo produkt i recetës ka ardhur nga toka deri në tryezë./ata