Mali i Dajtit, vetëm 22.4 kilometra larg qendrës së kryeqytetit, 1 613 metra mbi nivelin e detit, është një tjetër atraksion i mrekullueshëm për turistët e huaj që vendosin të vizitojnë vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, një mozaik i natyrës që i rri mbi krye Tiranës duke ofruar mundësi për aktivitete të llojllojshme dhe peizazhe të jashtëzakonshme.

Mali i Dajtit me peizazhet pyjore të ahut, dushkut, gështenjave, qershive, frashërit, pishave të zeza, të fton të shkëputesh tërësisht nga jeta urbane e Tiranës për t’u bërë pjesë me natyrën.

Me rreth 26 lloje drurësh dhe shkurresh pyjore, të cilat mbulojnë rreth 80 % të territorit, bimësh e barishtore, kafshët dhe shpendët e egra, dy majat dominuese, “ballkonet”, që qëndrojnë mbi shkëmbinjtë e pjerrët, kjo zonë është kthyer në një atraksion për turistët e huaj, që pëlqejnë natyrën dhe aventurën.

Vizitorët mund të shijojnë edhe pamjet spektakolare të perëndimit të diellit që në mbi 1000 metra lartësi ofrojnë një spektakël të mahnitshëm, duke u shoqëruar dhe nga një pafundësi dritash vezulluese të Tiranës./ata