Qeveria polake ka konfirmuar se para përfundimit të mandatit në vitin 2027, do të ndryshojë Ligjin e Punës në mënyrë që të reduktojë orët e punës në vend.
Për momentin, dy alternativa janë të disponueshme: një jave pune katërditore ose një ditë pune me shtatë orë. Java e punës katërditore ka shumë përkrahës dhe, sipas hulumtimit të platformës ClickMeeting, ajo mbështetet nga 70 për qind e punëdhënësve.
“Studimet tregojnë se sa më gjatë të punojmë, aq më të stresuar dhe të lodhur jemi. Një orë tjetër e kaluar në punë nuk do të thotë domosdoshmërisht një orë tjetër efikasiteti,” u shpreh ministrja polake për familjen, punën dhe politikën sociale, një nga mbështetëset kryesore të këtij ndryshimi.
Sipas saj, kërkesa për uljen e orarit të punës në mënyrë që njerëzit të kenë më shumë kohë për familjen, zhvillim dhe pushim, duhet të merret seriozisht.
Nga ana tjetër, disa anëtarë të qeverisë polake shprehën skepticizëm dhe pretendojnë se vendosja e një jave pune katërditore nuk është zgjidhja e duhur për një vend të prekur nga një krizë demografike.
Sipas të dhënave të Eurostat, polakët punojnë mesatarisht 40.5 orë në javë, që është shifra më e lartë në Bashkimin Evropian, pas grekëve. Mesatarja e BE-së është 37.5 orë, dhe mesatarja globale është 34.2 orë.
Pritet që procesi për ndryshimet në Ligjin e Punës të nisë në vjeshtë dhe mund të përfundojë në pranverën e ardhshme, pasi reduktimi i orarit të punës mund të ndihmojë koalicionin qeverisës në fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2025./Scan