Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart Munsch.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti dhe Munsch diskutuan rreth zhvillimeve në vend e rajon dhe rreth situatës së sigurisë në përgjithësi.
Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve kosovare të sigurisë e mbrojtjes me misionin e KFOR-it në Kosovë, kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e vullnetin për bashkëpunim e komunikim të vazhdueshëm, në sajë të punës së përbashkët e në shërbim të paqes dhe sigurisë, paralelisht me sundimin e ligjit dhe rendit.
Gjithashtu Kurti nënvizoi se shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje në 2023-tën tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, apo mbi 2 për qind të Bruto Produktit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s, derisa theksoi synimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO.
Kryeministri Kurti e falënderoi Admiralin Munsch për takimin dhe bisedën, si dhe kontributin pozitiv të KFOR-it dhe NATO-s.
Në takim kryeministri Kurti shoqërohej dhe nga Zëvendëskryeministri i Parë, Besnik Bislimi, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenaq Rashiq, teksa Admirali Munsch shoqërohej dhe nga komandanti i KFOR-it, Özkan Ulutaş./aa