mbajtur përgjegjëse për sulmin terrorist që ndodhi në Banjska të Zveçanit në shtator të vitit 2023.
Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, tha se para katër ditësh u bënë 11 muaj nga "agresioni i Serbisë ndaj vendit tonë, kur u vra rreshteri i Policisë, tash heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku".
"Për këtë sulm Serbia ende nuk është mbajtur përgjegjëse dhe vijon të mos dorëzojë drejt autoriteteve tona kryekriminelin e saj, Milan Radojçiq. Edhe gjatë qëndrimit në SHBA, në takimet bilaterale me senatorë e kongresistë amerikanë, në margjina të Konventës së Demokratëve, kërkova që të ketë më shumë trysni nga bota perëndimore e demokratike, për vënie para drejtësisë, kundrejt akteve terroriste e destabilizuese të Beogradit zyrtar dhe individëve përkatës përgjegjës", theksoi Kurti.
Kurti tha se pas vizitës në SHBA javën e kaluar, në harkun kohor të pak ditëve, në Kosovë kanë qëndruar mysafirë shefi i Agjencisë Qendrore për Inteligjencë, William Burns dhe Admirali Stuart Munsch i cili është Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.
Sipas tij, mbështetja e tyre është e palëkundur, bashkëpunimi i gjerë dhe i fuqishëm kurse përkushtimi i përbashkët është serioz dhe produktiv, në shërbim të paqes dhe sigurisë, të cilat ecin paralelisht me sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe progresin demokratik dhe ekonomik.
Ai paralajmëroi se nesër për vizitë në Kosovë do të vijë Thomas Goffus, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, ndërsa sot një delegacion danez i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkaq javën e ardhshme do të mirëpres dy ministra të jashtëm të dy shteteve anëtare të NATO-s.
Kryeministri Kurti shtoi se në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë "për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull".
Kurti përsëriti se hapja e urës së Ibrit është liri e lëvizjes dhe se liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian./aa