Një person në shtetin New Hampshire të SHBA-së vdiq pasi u infektua me virusin e encefalitit lindor të kuajve (eastern equine encephalitis), i cili transmetohet nga mushkonjat te njerëzit.
Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (DHHS) i shtetit amerikan, në një deklaratë me shkrim u njoftua se pacienti, i cili ishte shtruar në spital për shkak të simptomave të rënda të sistemit nervor qendror dhe rezultoi pozitiv me virusin e encefalitit lindor të kuajve, ka ndërruar jetë.
Duke njoftuar se rasti i fundit i virusit të encefalitit lindor të kuajve i përhapur nga mushkonjat është vërejtur në vitin 2014, DHHS tha se virusi i encefalitit lindor i kuajve u zbulua te dy persona nga shtetet Massachusetts dhe Vermont.
Zyrtarët e shtetit të Massachusetts-it njoftuan se spërkatja kundër mushkonjave do të bëhet në rajonet Plymouth dhe Worcester si pjesë e luftës kundër sëmundjes. Autoritetet deklaruan se kanë ndaluar ngjarjet në natyrë të planifikuara për orët e mbrëmjes në rajonin e Oxfordit.
- Virusi i encefalitit lindor të kuajve
Virusi i encefalitit të kuajve lindor, i transmetuar te njerëzit përmes mushkonjave të infektuara, njihet si një sëmundje e rrallë dhe vdekjeprurëse.
Sipas të dhënave të Qendrës së SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, afërsisht 30 për qind e të infektuarve me këtë sëmundje vdesin ndërsa ata që i mbijetojnë sëmundjes mund të hasin disa probleme neurologjike.
Simptomat e sëmundjes përfshijnë temperatura të larta, dhimbje koke, të vjella, diarre dhe përgjumje. Ende nuk ka një metodë trajtimi për sëmundjen./aa