Udhëheqësi shpirtëror i mërguar i Tibetit, Dalai Lama i 14-të, u kthye në Indi pas operimit në SHBA.

Dalai Lama, i cili iu nënshtrua një operimi për zëvendësimin e gjurit në shtetin amerikan të New Yorkut më 28 qershor, u kthye në selinë e Këshillit tibetian në mërgim në Dharamshala, në veri të Indisë, pasi operimi ishte i suksesshëm.

Në deklaratën me shkrim të Zyrës për media të liderit shpirtëror më 3 qershor, u raportua se 89-vjeçari Dalai Lama do të udhëtojë në SHBA për të trajtuar gjunjët.

- Statusi i Tibetit

Rrafshnalta Tibetiane 2.5 milionë kilometra katrorë në veri të maleve Himalaje quhet "çatia e botës" me një lartësi mesatare prej 4.380 metrash mbi nivelin e detit.

Rajoni, i cili ka qenë atdheu i popullit gjysmë nomad tibetian gjatë historisë, ra nën sovranitetin e Republikës Popullore të Kinës me marrëveshjen 17 pikash të nënshkruar në vitin 1951. Qeveria e Pekinit e quajti këtë "çlirim paqësor të Tibetit".

Udhëheqësi shpirtëror i Tibetit, Dalai Lama, u largua nga rajoni pas dështimit të kryengritjes pro-pavarësisë në vitin 1959 dhe u vendos në qytetin Dharamshala në veri të Indisë, ku themeloi asamblenë dhe qeverinë tibetiane në mërgim.

Kina nuk e njeh administratën tibetiane në mërgim dhe nuk ka pasur asnjë kontakt me përfaqësuesit e Dalai Lamës që nga viti 2010. Pekini akuzon qeverinë në mërgim për separatizëm, duke pretenduar se Tibeti ka qenë pjesë e Kinës që nga shekulli i 13-të dhe nuk ka ekzistencë të veçantë.

Dalai Lama dhe mbështetësit e tij argumentojnë se Tibeti ka qenë "de facto" i pavarur për pjesën më të madhe të historisë./aa