Normat e interesit të depozitave bankare shënuan rritje në 6- mujorin e parë të këtij viti.

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se, për muajin qershor norma mesatare e interesit të depozitave me afat në lekë u rrit në 2.02%, nga 1.46% që ishte në qershor 2023.

Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë e frenoi rritjen e normës bazë të interesit. Megjithatë, interesat e depozitave kanë vazhduar të rriten edhe në gjysmën e parë të këtij viti, ndikuar nga rritja me ritme shumë të shpejta të kredisë në monedhën vendase.

Për 6-mujorin 2024, kredia në lekë u rrit me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Normat më të ulëta të interesit po bëjnë që kredia në lekë të jetë gjithnjë e më e preferuar nga huamarrësit. Nga ana tjetër, rritja e depozitave në lekë në përgjithësi vitet e fundit ka qenë e ngadaltë, duke reflektuar edhe një efekt të fortë shtrëngues të politikës fiskale. Kjo ka shtuar nevojën e sektorit bankar për fonde në monedhën vendase dhe ka rritur normat e interesit të depozitave në lekë.

Normat e interesit për depozitat në monedhën euro ngelen ndjeshëm më të ulëta.Për muajin qershor, norma mesatare e interesit për depozitat në euro ishte 1.53%, nga 0.74% që ishte një vit më parë./ata