Kryeministri i vendit Albin Kurti deklaroi se janë rreth 13 lokacione brenda Kosovës të adresuara për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Në tryezën e organizuar për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, Kurti shtoi se kanë dërguar disa herë kërkesa për hapjen e arkivave më Serbi. Ai u zotua se do të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

“Nuk ka kufomë, nuk ka krim, ishte strategjia e shtetit të Serbisë për faktet e krimit. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarit e Millosheviçit ne Beograd. Deri më tani shteti serb nuk ka ndarë informacionet nga hapja e arkivave”, deklaroi ai.

Shefi i ekzekutivit theksoi se nevojitet mobilizim kombëtar e mbështetje e ndërkombëtarëve që kriminelët të mbahen përgjegjës.

Kurti deklaroi se strategjia e Serbisë për fshehjen e krimeve të kryera po zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politik të Millosheviqit. Gjatë viteve 1998-1999, shefi i ekzekutivit shtoi se Serbia ka kryer qindra masakra dhe mijëra zhdukje me dhunë të shqiptarëve, për çka siç theksoi Kurti, strategji kishte “nuk ka kufomë, nuk ka krim”. Ai bëri të ditur që kanë filluar përgatitjet për gërmime në Kozhle të Serbisë.

 

Kurti shtoi se kanë dërguar disa herë kërkesa për hapjen e arkivave në Serbi.

Sipas tij, qeveria ka prioritet ndriçimin e fatit dhe vendndodhjen e të zhdukurve me zhvillimin e bazës ligjore dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve.

Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar, Kurti shtoi se janë rreth 13 lokacione brenda Kosovës të adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues. /KosovaPress/