Hasan Xhaja nga Skrapari prej 10 vitesh merret me mbarështimin e gomaricave dhe tregton qumështin e tyre për kurim sëmundjesh të ndryshme apo për kozmetikë. Por blegtori ka edhe ankesat e tij, të cilat lidhen kryesisht me mungesën e subvencioneve nga qeveria si dhe probleme me gjetjen e tregut.
Qëkur erdhi në Myzeqe 15 vite më parë, Hasan Xhaja nga Skrapari u mor me blegtori. Por gjatë 10 viteve të fundit ai është marrë edhe me mbarështimin e gomaricave, pasi tregton qumështin e tyre për kurim sëmundjesh të ndryshme apo për kozmetikë. Hasani ka ngritur fermën e tij me gomarica në fshatin Vajkan të Fierit. Ai tregon se e nisi nga nevoja e tij kur ishte i sëmurë me kollën e mirë, ku fillimisht mori dy gomarica për t’i marr qumështin për t’u kuruar e kështu nisi ti mbarështojë më shumë, ku tani ka 25 krerë bashkë me gomarica të vogla.
Në sigurimin e ushqimit për to, ai nuk has probleme, por sfidë është gjetja e tregut. Hasani thotë se në ditë merr nga to 4 litra qumësht dhe një litër shitet me 6 mijë lekë. Klientët janë nga shumë vende të Shqipërisë, por edhe emigrantë shqiptarë nga Gjermania e Italia.
Por blegtori ka edhe ankesat e tij, të cilat lidhen kryesisht me mungesën e subvencioneve nga qeveria si dhe probleme me gjetjen e tregut.
Qumështi i gomaricës bën mirë në kurimin e sëmundjes së kollës së mirë, sëmundjeve të mushkërive etj, por ai tashmë po përdoret dhe në kozmetikë./SyriNet