Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ishte në Librazhd, ku bashkë me kryetarin e bashkisë, Mariglen Qato inspektoi nga afër punimet për Qendrën e re Rinore që po bëhet gati për të përmbushur nevojat dhe aktivitetet e të rinjve të kësaj zone.

“Qendra rinore në Librazhd po bëhet gati; Një hapësirë e dedikuar për nevojat dhe aktivitetet e të rinjve. Kjo qendër do të ofrojë hapësira të dedikuara për fuqizimin e të rinjve përmes trajnimeve për karrierë, art dhe teknologji. Ajo do të shërbejë si një qendër për Këshillin Vendor Rinor dhe do të krijojë një mjedis të veçantë ku të rinjtë do të kenë autonominë për të menaxhuar dhe përdorur këto hapësira bashkëkohore sipas nevojave të tyre. Së bashku me Agjencinë Kombëtare të Rinisë dhe Bashkisë në Librazhd po investojmë në ndërtimin e mundësive të reja për rininë e Librazhdit, aty ku idetë e tyre kanë vend për të lulëzuar”, thuhet në postimin e ministres në rrjetet sociale.

Ky projekt është pjesë e nismës mbi të cilën përfitojnë mbi 100 mijë të rinj që jetojnë në bashkitë Fier, Mat, Malësi e Madhe, Librazhd, Sarandë dhe Korçë, që pritet të kenë më shumë hapësira të sigurta, qendra rinore dhe qendra shumëfunksionale krejtësisht të kushtuara për ta.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR), Geron Ibrahimi nënshkruan kontratat gjatë muajit mars të këtij viti me bashkitë Fier, Mat, Malësi e Madhe, Librazhd, Sarandë dhe Korçë, si fituese të granteve për infrastrukturë rinore nga Thirrja e Tretë që po financohet me mbështetjen e qeverisë shqiptare, nëpërmjet AKR-së.

Fokusi i projekteve të bashkive fituese është rikonstruktimi apo ndërtimi i një qendre rinore për qytetin, të konceptuara edhe si hapësira shumëfunksionale, ku të rinjtë angazhohen në trajnime, kurse të ndryshme, teknologji, sipërmarrje, këshillim karriere, debat, lexim, dhe për aktivitete të ndryshme rinore e bashkëbisedime. Në total nga mbështjetja me grant për bashkitë sipërpërmendura pritet që të ndikohen rreth 108 233 të rinj të grup-moshës 15-29 vjeç.

Edhe bashkia Librazhd do të ndërtojë një qendër rinore e cila do të ndikojë 962 të rinj, të cilët do të kenë mundësinë të bëhen pjesë e shumë mundësive për të rinjtë, me klubet e debatit, artit, kulturës, teknologjisë së informacionit dhe leximit, duke krijuar një hapësirë të sigurtë për të rinjtë e qytetit./ata