Bashkëpunimi mes bujqësisë dhe turizmit po sjell një ekonomi më të larmishme dhe të qëndrueshme.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot pamje nga Lini, në Pogradec.
“Qetësia që të fal liqeni ndërthuret në harmoni të plotë me prodhimet e stinës nga duart e arta të zonjave punëtore që ofrojnë për turistët dhe vendasit shijen e produkteve “Made in Albania””, theksoi ministrja.
Ekspertët e ekonomisë theksojnë se nxitja e sinergjisë midis sektorëve, ekonomive prodhuese, rajoneve (bregdetare dhe malore) apo vlerave kulturore dhe historike krijon një kornizë ekonomike më elastike dhe më të fuqishme që përfiton ekonomia vendase në tërësi.
Njëkohësisht ata janë të mendimit se nevojitet nxitja e nismave agroturistike, ku turistët mund të marrin pjesë aktive në aktivitete bujqësore, të tilla si vjelja e rrushit, prodhimi i rakisë, kujdesi për kafshët ose përpunimi i ushqimit.
Kjo ofron një përvojë gjithëpërfshirëse për vizitorët, ndërkohë që angazhohen drejtpërdrejt në zinxhirin e vlerës bujqësore./ata